
Sistemit të drejtësisë shqiptare, deri tani i janë larguar mjaft gjyqtarë dhe prokurorë, të verifikuar kryesisht për fshehje apo deklarim të rremë pasurie.
Pasojë direkte kjo e vetingut, i cili ka nisur prej më shumë se një viti dhe që në total, do të kalojë në “sitë” rreth 800 të tillë.
E ndërsa ky proces vazhdon, ajo që po bie në sy tashmë është “ana tjetër e medaljes”: Gara e prokurorëve dhe gjyqtarëve që synojnë të futen në sistemin e drejtësisë.
Ata kanë nisur ta bëjnë tashmë këtë, përmes paraqitjes së kandidaturave të tyre kryesisht për në organet e reja të sistemit, por edhe për të plotësuar vendet vakante në ato që janë thuajse “boshatisur” prej vetingut të deritanishëm.
Një rast konkret është ai i Gjykatës Kushtetuese, prej ku edhe nisi të aplikohej procesi i vetingut për shtatë anëtarët e tij Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo.
Nga këta, vetëm e dyta arriti ta kalonte me sukses atë, ndërsa Imeraj dha dorëheqjen dhe Dedja u shkarkua pas apelimit.
E në një situatë të tillë, teksa organi i lartë gjyqësor gjendet prej muajsh në ngërç për mungesë anëtarësh, pranë tij kanë nisur të paraqiten kandidatët e parë, ku tre prej tyre u bënë dje publikë nga Kuvendi: Avni Shehu, Marsida Xhaferllari dhe Theodhori Sollaku.
Emri më i përfolur? Theodhori Sollaku, i cili ka mbajtur gjatë viteve 2003-2007 postin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe së fundmi, është shfaqur në publik edhe si avokati i të njohurit si “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili.
Por edhe emri i Avni Shehut nuk është më pak i njohur, ndërsa ai ka qenë ish-kryetar i Gjykatës së Lartë në vitet ’90.
Ndërsa kandidatja e tretë për në Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, njihet si shefe e Inspektimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në këtë këndvështrim, i bie që në organin e larttë gjyqësor që shqyrton kushtetueshmërinë e ligjeve në vend të futen juristë me përvojë nga profile të ndryshëm të sistemit të drejtësisë.
Situatë e ngjashme që pritet të ndodhë edhe me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, edhe ajo e mbetur në ngërç nga pasojat e vetingut.
EMRAT
Kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese
Avni Shehu
Marsida Xhaferllari
Theodhori Sollaku