Diplomacia gjermane vlerëson se BE duhet t’i hapë rrugë çeljes së negociatave për Shqipërinë

Diplomacia gjermane vlerëson se BE duhet t’i hapë rrugë çeljes së negociatave për Shqipërinë

Në Gjermani, diplomatë të ndryshëm po kërkojnë orët e fundit me ngulm që procesi integrues i Shqipërisë në BE të mos ndalet. Ata vlerësojnë se ka ardhur koha që të hapen negociatat dhe kjo çështje të mos zvarritet më.

Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka zhvilluar një axhendë takimesh në Berlin, me parlamentarë gjermanë, në kuadër të një komunikimi intensiv me Bundestagun, sidomos me përfaqësues të grupeve politike dhe komisioneve parlamentare të angazhuar me çështjet e Bashkimit Evropian, zgjerimit dhe Ballkanit Perëndimor.
Cakaj ka kërkuar dhe ka siguruar mbështetje lidhur me proceset integruese të Shqipërisë.

Kryetari i Komitetit Parlamentar për Politikën e Jashtme në Bundestag, Norbert Röttgen,

Tha se BE nuk është e plotësuar pa Ballkanin Perëndimor. Ai tha se ofron mbështetjen për negociatat dhe nxitjen e procesit për Shqipërinë.

Kryetari i Komitetit të Shqyrtimit të Zgjedhjeve, Imunitetit dhe Procedurave Ligjore në Bundestag, Patrick Sensburg, thotë se Shqipëria ka bërë përparim në proceset integruese. Ai thotë se ka ardhur koha që këto arritje të promovohen.

Për z.Sensburg, promovimi i arritjeve duhet bërë jo vetëm me zyrtarët publikë në Gjermani, por edhe me qytetarët gjermanë, për të kuptuar proceset e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria, si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Reporteri për Shqipërinë, Përfaqësues i të Gjelbërve në Komitetin e Çështjeve Evropiane në Bundestagun gjerman, Manuel Sarrazin, e mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ai thotë se është adekuate që të merret një vendim pozitiv për shqopërinë. Sipas tij, ky vendim duhet të merret me qëllim që Shqipërisë t’i mundësohet një perspektivë të qartë e të besueshme evropiane. Z. Sarrazin thotë sekjo është e vetmja alternativë e qenësishme për Shqipërinë. Ndaj ai bën thirrje që si Komisioni Evropian, ashtu dhe politika gjermane duhet të marrin sa më parë një vendim pozitiv për Shqipërinë.
Reporteri tjetër për Shqipërinë, Thomas Hacker nga Demokratët e Lirë (FDP) thotë se Ballkani duhet të integrohet në BE, sepse kështu sigurohet një qëndrueshmëri për mbarë Europën. “Koncepti dhe interesi i përbashkët evropian nënkupton një rajon të integruar, të qëndrueshëm dhe të sigurt dhe perspektiva e integrimit në BE, është një promotor i shkëlqyeshëm për kapërcimin e nacionalizmave dhe konflikteve të së shkuarës në Ballkan”, – u shpreh z.Hacker, në takimin që zhvilloi me ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Takimet që zhvilloi në Berlin, u vlerësuan sot nga z.Cakaj si një inkurajim i rëndësishëm për vendin. Cakaj e vlerësoi Gjermaninë si një partnere kryesore që ka qenë dhe mbetet luajale ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në rajonin e Ballkanit.

Ai tha se pa mbështetjen e Berlinit zyrtar, procesi i integrimit nuk do të ishte i mundur për asnjë nga vendet e rajonit Ballkanik.