Diaspora vazhdon ta mbajë gjallë ekonominë e Kosovës

Diaspora vazhdon ta mbajë gjallë ekonominë e Kosovës
Dërgesat nga diaspora, në Kosovë vazhdojnë të paraqesin një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare.
Gjermania është shteti nga ku kosovarët më së shumti dërgojnë pare, pastaj renditet Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dërgesa të diasporës.
Në pjesën e parë të vitit 2019, rritja e remitencave është për 4.5 për qind më e madhe se vitin 2018.
Kjo bëhet e ditur në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i parë 2019”.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2018 shënuan vlerën prej 745.5 milionë euro.
“Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan vlerën prej 113 milionë euro deri në shkurt 2019, apo 4.5 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i parë 2019”.
Gjermania është shteti nga ku kosovarët dërgojnë më së shumti para.
“Shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora e jonë dhe ku prinë Gjermania e përcjellë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika, etj”.
Dërgesat e diasporës, sipas kanaleve të dërgimit, më së shumti dërgohen nga agjencitë për transferim të parave dhe ndjekur nga bankat.
Përveç remitencave që dërgohen vazhdimisht në Kosovë, shuma të mëdha të mjeteve financiare emigrantët nga Kosova shpenzojnë edhe kur vijnë për pushime, sidomos gjatë stinës së verës.
Janë kushtet e rënda socio-ekonomike në Kosovë që kanë obliguar emigrantët t’u dërgojnë para familjeve të tyre.
Ekspertë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë theksuar se duke pasur parasysh ritmin e zhvillimit në Kosovë, i cili, sipas tyre, nuk ka garantuar krijim të burimeve tjera të qëndrueshme që mund ta përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit, është mjaft e rëndësishme që Kosova ka një diasporë të fuqishme.
Siç vlerësojnë ata, parave të dërguara nga diaspora, të cilat kryesisht shpenzohen për konsum, duhet t’u ndërrohet orientimi duke i kthyer në investime në projekte të ndryshme që do të gjeneronin edhe vende pune./Ibna/