Dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut

Dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut

Dhuna ndaj grave është një problem i theksuar në shoqërinë në Maqedoninë Veriore. Pothuajse gjysma e grave të cilat janë anketuar besojnë se dhuna familjare është çështje private që duhet të zgjidhet brenda familjes dhe tre nga dhjetë gra besojnë se viktimat i zmadhojnë pretendimet për dhunë. Kjo bëhet e ditur nga hulumtimi i realizuar nga OSBE për dhunën gjinore gjatë vitit të kaluar.

“Vetëm 2% e grave që përjetojnë dhunë, e raportojnë atë në institucionet përkatëse. Anketa tregon se turpi, pamundësia financiare, mungesa e informacionit, mos-besimi ndaj institucioneve, frika nga pasojat dhe mungesa e dijes se çfarë domethënë një gjendje më e mirë, janë arsyet që dhuna nuk raportohet”, theksoi Amarsana Darisuren, këshilltare e OSBE për çështje gjinore.

Kryeministri  Zoran Zaev tha se institucionet angazhohen për përmirësimin e gjendjes së grave dhe rregullativës ligjore. Ai tha se gratë duhet të ndjehen të barabarta, të sigurta, të respektuara, të përfshira dhe të integruara plotësisht në një shoqëri me zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës./IBNA