Debate për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut

Debate për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev deri në fund të javës do të vendos se a do të bëj rikonstruimin apo do të merrë vendim duke parë si alternativë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo do të varet nga takimi që kryeministri Zoran Zaev do ta ketë të enjten me kancelaren gjermane Angela Merkel për të mësuar qëndrimin gjerman se a do të jepet data për fillimin e negociatave me BE-në në korrik.

“Nëse këtë verë nuk ka datë për fillimin e negociatave të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, paralajmëroi Zaev.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani po ashtu sinjalizon vendimet e rëndësishme.

“Ne të enjten bashkë me kryeministrin Zaev takojmë kancelaren Angela Merkel në Berlin ku presim të kemi më të qartë çfarë do të ndodh në korrik dhe çfarë në tetor”, theksoi Osmani.

Opozita thotë se duhet të formohet një qeveri teknike me një mandat 100 ditësh që do të organizojë zgjedhjet e reja. Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski thotë se fitorja e tyre në zgjedhjet e radhës është e qartë.

 “Unë jam i bindur se fitojmë,do të formojmë Qeverinë dhe atëherë Maqedonia vërtetë do të jetë para dyerve të BE-së”, theksoi Mickoski mbrëmë në intervistën në Top Tema në TV Telma.

Edhe opozita shqiptare thotë se është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme pas dështimeve të qeverisjes aktuale në planin e reformave.  Ditëve të fundit pjesë e debatit është ndryshimi i kodit zgjedhor, një nismë e bërë nga presidenti Stevo Pendarovski. Një nga propozimet është që vendi të jetë një njësi zgjedhore me lista të hapura, duke përjashtuar modelin e tanishëm me gjashtë njësi zgjedhore./IBNA