Debate për ndryshimin e kodit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Debate për ndryshimin e kodit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoni po zhvillohen debate për ndryshimin e kodit zgjedhor.  Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) kërkon që të bëhen ndryshime për ndryshimin e sistemit të votimit të diasporës, për financimin e fushatës, të shqyrtohet lista e votuesve si dhe propozohet ndryshimi i sistemit zgjedhor nga 6 njësi në 1 njësi zgjedhore.

“Deri në fund të muajit do ti konkretizojmë dispozitat të cilat  duhet të ndryshohen dhe do t’i bëjmë publike duke ia përcjellë institucionet tjera përgjegjëse. Shpresojmë se do të kemi mbështetjen e partive parlamentare për miratimin e këtyre ndryshimeve”, thotë Enver Salihi, anëtar i KSHZ.

Partia në pushtet SDSM (Lidhja Social demokrate) tha se janë të gatshëm për të mbështetur këto ndryshime.

“Si parti, si koalicion, jemi të gatshëm nëse ka konsensuz edhe nga institucionet e tjera në vend, bashkë edhe me opozitën në Kuvend, të bisedojmë për ndryshime në Kodin Zgjedhor sepse me gjasë, me kalimin e kohës, paraqitet nevoja për korrigjimin e tij”, theksoi deputetja e SDSM,  Tatjana Prentovic.

Nga VMRO-DPMNE-ja theksuan se do të presin propozimet konkrete nga KSHZ-ja për të vendosur nëse ja vlen që të hapet tema e ndryshimit të legjislativës zgjedhore.

Shoqëria civile ka nënvizuar nevojën që kodi zgjedhor të pësojë ndryshime, për një proces zgjedhor më efikas. “Kërkojmë që të përmbushet premtimi që të ndryshojë sistemi zgjedhor dhe tërë vendi të jetë një njësi zgjedhore. Ne kemi propozuar të ulen shpenzimet që kanë të bëjnë me votimin në diasporë”, thekson Xhabir Derala nga NGO “CIVIL” në Shkup.  Në zgjedhjet e fundit presidenciale për votimet në diasporë janë harxhuar gati gjysmë milion euro, ndërsa kanë votuar vetëm 700 veta në përfaqësitë diplomatike. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor miratohen me konsenzus mes partive politike dhe me 2/3 e votave të deputetëve./IBNA