Data për fillimin e bisedimeve përplas partitë politike

Data për fillimin e bisedimeve përplas partitë politike

Data për fillimin e negociatave me BE-në është një nga temat kryesore të debatit politik në Shkup.  Kryeministri Zoran Zaev dje pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merken në Berlin bëri të ditur  se nuk do të ketë datë për fillimin e bisedimeve gjatë verës, por ai shpreson për një vendim pozitiv gjatë muajve të vjeshtës. Kryeministri Zaev paralajmëroi rikonstruim të kabinetit qeveritar apo edhe opsionin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Megjithatë ky paralajmërim ka nxitur reagimin dhe debatet politike.

“SDSM  të dielën do të mbaj mbledhje në Ohër dhe do të diskutoj për situatën e krijuar pas takimit me kancelaren Merkel. Ne kemi thënë që mbajmë llogari për fotografinë e gjerë të vendit.”, theksoi zëvendëskryetarja e Lidhjes Social Demokrate (SDSM).  

VMRO-DPMNE  tha se fajtor për këtë dështim është Qeveria dhe kryeministri Zaev.

“Ky është edhe një fakt tjetër se kjo qeveri nuk punon asgjë, se Zoran Zaevi është një nga kryeministrat më të paaftë. Ai vazhdimisht gënjen qytetarët”, theksoi Dimce Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.  Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë optimist se gjatë këtij viti do të ketë datë për fillimin e bisedimeve, ndërsa, partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. /IBNA