Dalin detajet e reja nga grabitja në aeroport, flet ministri i Brendshëm

Dalin detajet e reja nga grabitja në aeroport, flet ministri i Brendshëm

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka dhënë të enjten më shumë hollësi rreth ngjarjes së 9 prillit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, kur gjatë një grabitjeje të armatosur në pistë u morën 10 milionë euro dhe u vra një person.

Lleshaj pohoi se ngjarja “është dëshmi e një serie dështimesh të disa hallkave përgjegjëse për sigurinë në aeroport”.
Sipas tij operatori privat, i ngarkuar për sigurinë e aeroportit ka njoftuar me vonesë Policinë e Shtetit.

Gjithnjë sipas ministrit të brendshëm shqiptar, TIA ka njoftuar Aviacionin Civil Shqiptar 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja.

Këtu ministri doli dhe me një akuzë më të rëndë: “TIA ka njoftuar Aviacionin civil shqiptar 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Po ashtu kontraktori privat i sigurisë së aeroportit nuk ka lejuar forcat e ndërhyrjes së shpejt të hyjnë në aeroport kur ato e kishin marrë njoftimin në rrugë të tretë”, – tha z.Lleshaj.

  1. Lleshaj bëri me faj Kuvendin për situatën e sigurisë ku ishte lënë aeroporti.

“Me një ligj të miratuar në këtë Kuvend para 15 vitesh përgjegjësia e sigurisë së aeroportit të Rinasit i është transferuar një kontraktori privat. Sigurisht unë nuk do ta kisha votuar kurrë dhe nuk do e kisha kuptuar kurrë këtë vendim”, – tha Sandër Lleshaj dhe shtoi:

“Vendimi për ta transferuar këtë përgjegjësi të ruajtjes së drejt një operatori privat madje të huaj privat është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar, toleruar, pëlqyer për 15 vite me radhë dhe ju e dini fort mirë se kush ka qëndruar në këto karrige gjatë 15 viteve. Dhe askush nuk e ka atakuar, adresuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e rëndësishme e sigurisë së aeroportit të Rinasit është transferuar në duar privati”.