Cipras: Nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek, nuk ka integrim

Cipras: Nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek, nuk ka integrim

Në një intervistë për  prestigjiozen Financial Times, kryeministri grek ka komentuar edhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Pasi ka folur për arritjen e marrëveshjes historike të Prespës, ku Greqia dhe Maqedonia arritën të zgjidhnin kontestin e gjatë për çështjen e emrit, kreu i qeverisë greke ka thënë po ashtu se “një hap i tillë mund të merret edhe për zgjidhjen e vështirësive në marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat kanë mbetur pezull që prej hapjes së dialogut në Nëntor 2017.”

“Çështjet e pazgjidhura përfshijnë kufijtë detarë, ligjin e luftës që ka ekzistuar mes dy vendeve që në vitin 1945 dhe statusin e minoritetit grek në Shqipëri.

Cipras thotë se i ka shpjeguar kryeministrit shqiptar, Edi Rama se Tirana duhet t’i mbrojë të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, përndryshe rruga e vendit drejt integrimit evropian do të mbyllet”, ka komentuar shefi i qeverisë greke.

Ndërkohë, ai ka shtuar se “nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut. Greqia dhe unë personalisht do të mbështes një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë për të filluar proceset e pranimit në BE, së bashku edhe Maqedoninë e Veriut. Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Kjo do të ishte e padrejtë”, shprehet Tsipras.