Britania e madhe kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Britania e madhe kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Ndryshimi i qëndrimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se s’do të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë, ka gëzuar Britaninë e Madhe.

Deputet britanik në një seancë parlamentare të martën janë sërish kundër korrigjimit të kufijve.

John Grogan nga Laburistët ka thënë se “është gëzuar që javën e shkuar presidenti i Kosovës tha se shkëmbimi i territoreve s’do të ndodhë kurrë”.

“Vitin e shkuar ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por ishte qasje e gabuar. Shumë para janë shpenzuar në lobim në Londër dhe në vende tjera për këtë çështje, por jam i gëzuar që presidenti ka ndryshuar qasjen. Kryeministri dhe parlamenti kishin të drejtë që ishin të brengosur për shkëmbim të territoreve, korrigjim kufijsh apo sido që e quajnë. Kjo mund të destabilizonte shumë Ballkanin”, deklaroi Grogan.

Ministri për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan, theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të inspirohen nga Maqedonia dhe Greqia për arritjen e marrëveshjes, teksa ka thënë se pret që Ushtria e Kosovës të vazhdojë bashkëoperimin me KFOR-in. Sipas tij, është në duart e Kosovës që të suspendojë taksën dhe të lejojë rikthimin e dialogut.

“Është në interes të Kosovës të ruajë momentumin drejt një marrëveshjeje. Britania e Madhe beson se një marrëveshje e dialogut e bazuar në ndryshim të kufijve rrezikon stabilitetin në Kosovë, Serbi, e më tej, në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i kufijve do të rrezikonte edhe vendosjen e një precedenti që do të mund të shfrytëzohej nga palët e treta në rajon dhe më tej”, është shprehur Duncan.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët që të fokusohen në një marrëveshje për përforcim të sigurisë dhe stabilitetit, në parimet e multietnicitetit.

Së fundi, shtetet më të fuqishme të BE-së, Anglia dhe Gjermani janë shprehur kundër korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, SHBA-të janë deklaruar se do ta pranojnë një marrëveshje e cila dakordohet mes dy shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur sërish se ndryshimi i kufijve në Kosovë është një ide e hershme e Serbisë.

Ai po ashtu ka pohuar se edhe presidenti rus Vladimir Putin është i interesuar me i ndryshuar kufijtë në Ballkan, sepse dëshiron ta rikthejë ndikimin në ish-shtet që kishte ndikim BRSS. /Ibna