Borxhi publik i Kosovës vazhdon të shënojë rritje

Borxhi publik i Kosovës vazhdon të shënojë rritje
Borxhi publik i Kosovës vazhdon të shënojë rritje, përkundër faktit që ai vlerësohet më i ulëti në rajon.
 Banka Qendrore e Kosovws ka bërë të ditur se borxhi publik për periudhën 2009 deri 2019 ka arritur mbi 17 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), ose mbi 1 miliard e 93 milionë euro.
Njohësi i cështjeve ekonomike, Shkëlzen Dakaj thekson për IBNA se borxhi publik ë i Kosovës në krahasim me vendet tjera të rajonit është dukshëm më i ulët.
 “Për dallim prej Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera të rajonit të cilat borxhin e jashtëm e kanë mbi 60 për qind, Kosova në këtë drejtim qëndron më mirë. Mirëpo vërehet një rritje e dukshme, për disa borxhi i jashtëm prej 6 për qind është rritur në 17 për qind”, thekson Dakaj.
 Sipas tij, rritja e borxhit do të vazhdojë në vitet e ardhshme, por parat e marra hua duhet të orientohen drejtë projekteve të cilat gjenerojnë vende të reja pune.
 “Në Kosovë ka shumë sektorë dhe shumë projekte profitabile, për të cilat autoritetet kompetente mund të marrin borxh dhe lehtë të shlyejnë kredinë. Në këtë rast mendoj se është ndërtimi i kapaciteteve energjetike dhe riaktivizimi i sektorit minerar dhe metalurgjik në Kosovë”, thekson ai.
 Ndryshe, sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
 Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind./Ibna/