Bisedimet sekrete dhe marrëveshja me 12 pika mes Thaçit e Vuçiqit

Bisedimet sekrete dhe marrëveshja me 12 pika mes Thaçit e Vuçiqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, flitet se kanë hartuar një dokument me dymbëdhjetë (12) pika, për marrëveshjen Kosovë –Serbi e për të cilën dy krerët e shteteve janë marrë vesh vetëm në parim.

Në formulimin e këtij dokumenti ka marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo thotë se në këtë dokument është përfshirë çështja e korrigjimit të kufijve, Trepça dhe disa çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë.

“Në qarqe diplomatike flitet për një dokument njëfaqësh, pra marrëveshje të parimeve, e cila do të trajtojë korrigjimin e kufirit, çështjen e kishave, të Trepçës dhe të tjera”, ka thënë Osmani për Express.

Ajo thotë se ky dokumenti në të cilin trajtohen më gjerësisht këto 12 pika nuk do të vijë fare për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kujtuar se njësoj ishte vepruar edhe me marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit.

“Thuhet që dokumenti përcjellës që i trajton në detaje këto tema, nuk vjen për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, por vetëm ajo e marrëveshjes së parimeve. Pak a shumë kjo është çfarë ka ngjarë në vitin 2013 kur marrëveshja mes Thaçit dhe Daçiqit përfshinte parimet themelore, por marrëveshjet zbatuese të atyre parimeve asnjëherë nuk kanë ardhur për ratifikim në Kuvend” ka shpjeguar Osmani.

Ajo thotë se nuk bëhet fjalë për një dokument final, por për një draft marrëveshje.

Osmani thotë se në hartimin e këtij drafti ka marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian.

Për takime të fshehta ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit ka folur edhe historiani dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Florian Bieber.

Ai ka thënë që deklarimet e Thaçit të bëra gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth një ‘korrigjimi të lehtë të kufijve’, tregojnë se Thaçi ka zhvilluar biseda të fshehta me presidentin serb për korrigjimin e kufijve./Ibna/