Bill Clinton dhe Madeleine Albright në Kosovë

Bill Clinton dhe Madeleine Albright në Kosovë
 Ish presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në veprimtaritë me të cilat pritet të shënohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare dhe administrimit serb të Kosovës.
Roli i të dy zyrtarëve amerikanë vlerësohet vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë dhe hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli pritën ish presidentin Clinton në aeroportin e Prishtinës.
Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, shkroi se “Liria dhe Pavarësia jonë është e lidhur ngushtë me emrin e njeriut që sot po viziton Republikën tonë. Presidenti Klinton do të jetë i nderuar për jetë e mot nga Kosova”.
“Ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpres ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike. Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë”, deklaroi ish-presidentja Jahjaga.
Mirëseardhje ish presidentit Clinton në Kosovë i uroi edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Në llogarinë e tij të rrjetit social Facebook, Haradinaj e postoi një fotografi të mikut të madh të kosovarëve dhe shkroi: “Mirë se erdhe sërish, Presidenti Clinton”, duke ia bashkangjitur këtij postimi edhe dy flamuj, atë të Kosovës dhe të SHBA-së.
Viti 2019 në Kosovë është shpallur vit i NATO-s në shenjë nderimi për ndërhyrjen e saj 20 vjet më parë./Ibna/