BILANCI I OPOZITËS NË 3 MUAJ PROTESTË

BILANCI I OPOZITËS NË 3 MUAJ PROTESTË

Nga ROLAND QAFOKU

Që nga 18 shkurti kur opozita hoqi dorë nga mandatet po bëhen rreth 3 muaj. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 4 protesta të mëdha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” , janë zhvilluar 10 protesta të vogla kryesisht përpara parlamentit, dy herë është bërë bllokimi i rrugëve nacionale dhe e gjithë kjo është shoqëruar me rreth 100 të arrestuar dhe të shoqëruar në polici. Por cili është bilanci politik i këtij aksioni opozitar? A po rezulton një kauzë e drejtë ajo që ka ngritur opozita? A ka patur efekt ky aksion në politikë dhe në të gjithë shoqërinë shqiptare? Çfarë ka sjellë deri tani ky aksion politik dhe çfarë pritet të sjellë në të ardhmen?

EFEKTET POZITIVE

1.Aksioni politik i opozitës ka sjellë krizë politike. Ndonëse vetë mazhoranca, me kokëfortësi e artikulon “situatë politike”, kjo është një krizë e pastër politike dhe këtë e ka shkaktuar pikërisht ky aksion politik i opozitës.

2.Aksioni politik i opozitës ka sjellë një lloj shkundje të politikës shqiptare. Vetë opozita duket më solide dhe më me dëshirë për të qenë aktive. Edhe sondazhet e zhvilluara kohët e fundit kanë treguar rritje të kuotave të opozitës dhe të liderëve të saj. Ndodhur në këtë situatë, mazhoranca ka ndërmarrë disa aksione për t’iu përgjigjur opozitës, ndonëse këto reagime kanë qenë në nivele deri qesharake që përmblidhen në shprehjen “5 mijë karriget e qeverisë”.

3.Aksioni politik i opozitës ka vënë në vështirësi mazhorancën. Sado dhe sido që të përpiqet të bëjë indiferenten dhe shpërfillësen, ka një vështirësi në mënyrën e funksionimit të saj. Një parlament me deputetë socialistë duke i shtuar edhe ata që janë futur nga listat e mbetura të opozitës e ka nxjerrë jashtë sistemit normal këtë mazhorancë. Jo vetëm që vetë deputetët e mazhorancës shprehin mungesë dëshire për të mbrojtur qeverinë e tyre, por edhe ata të ashtuquajtur analistë pranë PS dhe qeverisë që qëndrojnë non stop në ekrane nuk janë fare të besueshëm për publikun, kanë nivel të ulët intelektual dhe me servilizimin e tyre pa frè më shumë duken sikur zgjidhin hallet e tyre se sa problemet e qeverisë.

4.Aksioni politik i opozitës ka sjellë që edhe shoqëria të ketë një lloj shkundje. Ndoshta jo në masën që vetë opozita priste, por reale është që shoqëria shqiptare përpara 18 shkurtit është shumë ndryshe nga shoqëria shqiptare pas 18 shkurtit. Shumica e shoqërisë është me veshët ngritur për të mësuar jo thjesht të rejat e fundit, por sidomos zgjidhjen e situatës.

5.Aksioni politik i opozitës doemos do të sjellë ndikim në mënyrën e funksionimit të politikës shqiptare. Vlera më e madhe e këtij aksioni edhe pse ende nuk ka gjetur zgjidhje është se çfarëdo zgjidhje të ketë ky aksion do ndikojë për mirë në të ardhmen.

6.E fundit por jo për nga rëndësia është se aksioni politik i opozitës ka sjellë një situatë të tillë që nëse kjo mazhorancë do të zhvillojë e vetme zgjedhjet do t’i kthejë ato në nul. Nëse ndodh një gjë e tillë, zgjedhjet e 30 qershorit do të ishin më të turpshmet në historinë 98-vjeçare të zgjedhjeve në Shqipëri. Mazhoranca duhet të kuptojë se zgjedhje pa opozitën nuk ka patur asnjëherë dhe nuk mund të ketë asnjëherë. Nëse ajo do ta realizojë këtë, do të jetë një autogol i madh i saj.

EFEKTET NEGATIVE

1.Aksioni politik i opozitës ka si problem primar faktin që nuk ka arritur të ndikojë te faktori ndërkombëtar. Diplomacia amerikane dhe ajo evropiane nuk janë bindur nga ajo që po bën kjo opozitë për të gjitha problemet që ajo ka ngritur. Asnjë situatë politike në Shqipëri nuk është zgjidhur pa ndikimin dhe fjalën e diplomatëve të huaj, veçanërisht atyre amerikanë.

2.Aksioni politik i opozitës nuk është përkrahur dhe mbështetur nga pjesa gri e popullsisë. Të paktën zyrtarisht opozita ka rreth 150 mijë anëtarë të deklaruar me tesera. Në asnjë protestë dhe në asnjë tubim të këtij aksioni ky numër nuk është arritur. Protestat kanë patur pjesëmarrje masive dhe shifrat e dhëna deri në 100 mijë nuk janë të ulëta, por opozita e ka mundësinë që të paktën të sjellë në protestë anëtarët e saj.

3.Aksioni politik i opozitës për lënien e mandateve rezulton jo eficient. Kjo ka sjellë që opozita të harxhonte që në start të aksionit politik hallkën e fundit të zinxhirit dhe mënyrës së të bërit të aksionit politik. Protesta masive mund të kishte vijuar edhe pa këtë vendim ekstrem. Një vendim i tillë mund të bëhet bumerang për nesër dhe çdo opozitë mund të kërcënojë dhe realizojë djegien e mandateve, një vendim absurd, unikal dhe i paprecedentë në Shqipëri dhe Evropë.

4.Aksioni politik i opozitës solli fenomenin e zëvendësimit të mandateve të deputetëve nga të vetët. Një listë që tregon se sa keq është hartuar ajo, por tregon edhe papërgjegjshmëri për përzgjedhjen e emrave duke e bërë qesharake.

5.Aksioni politik i opozitës po tregon edhe një lloj lodhje të vetë opozitës. Duket sikur opozita është futur në një rreth vicioz dhe nuk po del dot. Askush nuk e di se çdo ndodhë. Ky aksion mund të dalë edhe fitues por me të njëjtën përqindje rrezikon edhe të dështojë.

6.Aksioni i opozitës nuk është shoqëruar me një mediatizim të mirë të saj. Nuk ka strategji konkrete për median, punët bëhen si të vinë dhe këshilltarët për shtypin të Lulzim Bashës “përgjojnë” këshilltarët e Ramës dhe përpiqen vetëm të kopjojnë por jo të kenë ide inovative. Një pjesë e përfaqësuesve të opozitës sillet me arrogancë me gazetarët, tregohet selektive me median. Madje edhe këtu funksionon në mënyrë të tillë sikur konkurron mazhoracën. Kjo është e papranueshme për një opozitë por edhe për aksionin e asaj politik që e trumbeton që do ndryshojë sistemin.