BE: Dialogu kusht për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE

BE: Dialogu kusht për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE
Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një periudhë që është cilësuar përfundimtare të bisedimeve, për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Por dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Sebisë ka kohë që nga ngecur. Për më shumë se katër muaj nuk është realizuar asnjë takim mes presidentëve të dy vendeve.
Kjo status quo ka shqetësuar përfaqësuesit e BE-së. Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Sam Fabrizi, ka porositur Prishtinën dhe Beogradin të vazhdojnë dialogun.
Fabrizi ka thënë se pa normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet e tyre nëpërmjet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore, në mënyrë që ata të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, është shprehur ai.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin problemet para se të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Problemet dypalëshe nuk duhet të importohen në BE. Është e domosdoshme që procesi i dialogut të vazhdojë. Pa zgjidhjen e problemeve mes vete, Kosova dhe Serbia nuk do të mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian”, ka theksuar Schinas.
Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj.
Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.
Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai./Ibna/