BE a do të hap negociatat me Maqedoninë e Veriut, optimizëm në Shkup

BE a do të hap negociatat me Maqedoninë e Veriut, optimizëm në Shkup

Kryeministri Zoran Zaev është optimist se vendi do të marrë dritë jeshile nga Brukseli për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

 “Vij nga Berlin, pas takimeve me kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Makron, kemi miq të mëdhenj në Evropë, jo vetëm që këtë vit do të bëhemi pjesë e NATO-s, por këtë verë vendi ynë do të fillojë negociata edhe me BE-në. Të vazhdojmë në rrugën e vërtetë. Ta ngritim edhe krenarinë e Ilindenit, dhe këtu të festohet fitorja, si në tërë vendin”, tha Zaev mbrëmë në një tubim elektoral.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani shpreson që qershori do të jetë vendimtar, si muaj i domosdoshëm për të ruajtur atmosferën pozitive në rajon. Pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ai thotë se për të ruajtur kredibilitetin e tyre, shtetet anëtare duhet të mbajnë premtimet dhe vendit ti jepet data për fillimin e negociatave.

Ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin thotë se nuk ka rezultate konkrete nga Samiti i Berlinit, por sipas tij, vendi ka marrë lavdërata si model i suksesshëm për zgjidhjen e çështjeve ndëretnike dhe ndërballkanike. “Maqedonia e Veriut ka mundësi më të mira se të gjitha vendet e tjera të afrohet drejt BE-së. Unë jam optimist”, theksoi Ruzhin.

Edhe eurokomisari për zgjerim Johannes Hahn është optimist. “Vendi meriton dritë jeshile për fillimin e negociatave gjë që është e mundur të ndodhë më herët se pushimet verore”, nënvizon Hahn.

Maqedonia e Veriut është kandidate për antarësim nga viti 2005, por bisedimet ende nuk janë hapur deri tani. Këtë qershor është paralajmëruar tashmë se vendi do të sigurojë datën për fillimin e bisedimeve bashkë me Shqipërinë. Megjithatë ende ka dilema nga disa vende anëtare. /IBNA