Basha te Asambleja e PPE në Bruksel, thotë se po merr mbështetje nga CDU

Basha te Asambleja e PPE në Bruksel, thotë se po merr mbështetje nga CDU

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në Bruksel, ku dje mori pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, ku është anëtare me të drejta të plota, forca politike që ai drejton.

z.Basha tha mbrëmë se u takua atje, me Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetaren e CDU. “Në emër të PD shpreha mirënjohjen për mbështetjen e partisë sonë simotër CDU në hartimin e programit tonë ekonomik dhe modernizimin e PD”, – thotë z.Basha.

Në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, Basha takoi edhe personalitete të tjera të rëndësishme të grupimit më të madh politik në Europë.

Lideri i opozitës pati takime miqësore me Presidentin e PPE, Joseph Daul, me Manfred Weber, kandidat i PPE për Presidencën e Komisionit Europian, me David McAllister, Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian dhe personalitete të tjera europiane që bëjnë pjesë në të njëjtën familje politike europiane.

Në komunikimin për media që Basha dhe PD publikuan, nuk pati asnjë deklaratë nëse kishin marrë apo jo mbështetje për protestat dhe djegien e mandateve parlamentare.