Basha, ndërkombëtarëve: Mos më kërkoni asgjë që s’do ta pranonit për popullin tuaj!

Basha, ndërkombëtarëve: Mos më kërkoni  asgjë që s’do ta pranonit për popullin tuaj!

“Mos më kërkoni asgjë që nuk do të pranonit për popullin tuaj!”. Me një deklaratë të tillë, kryedemokrati Lulzim Basha, i është kundërpërgjigjur dje qëndrimit zyrtar të delegacionit të Parlamentit Evropian.

Duke folur pas një takimi nga Shkodra, Basha theksoi edhe njëherë qëndrimin e opozitës për të vazhduar rrugën që ajo tashmë ka nisur. “Ne jemi të vendosur që përmes këtij rrugëtimi të sjellim vlerat europiane në Shqipëri. Dhe që përmes këtij rrugëtimi të sjellim standardet dhe vlerat evropiane në Shqipëri”, u shpreh ai.

Më tej, ka renditur një sërë akuzash ndaj qeverisjes aktuale të shqiptarëve, duke u parashtruar pyetje publike eurodeputetëve nëse ata mund të jenë dakord me to. “A do të pranonit për vendin tuaj këtë që i kërkoni shqiptarëve të  pranojnë për veten e tyre një kryeministër që vjen me krimin, qeverisë për krimin në vend që ti shërbejë popullit? A do të pranonit mjerimin ekonomik, varfërinë, mungesën e shpresës dhe emigracionin? Askush nuk e pranon këtë për veten e tyre”, theksoi ai. Duke nënvizuar se tani se është radha e opozitës për të bërë sakrificë dhe për t’iu bashkuar vlerave të Europës.

Sipas kreut të opozitës, “derën e integrimit e ka mbyllur korrupsioni dhe krimi i lidhur me qeverinë”. “Udhëtimi ynë drejt Europës, po mbush gati tre dekada. Ne të gjithë e dimë se ky rrugëtim ka qenë i dhimbshëm dhe se ai kalon përmes sakrificash të mëdha! Sakrifica jonë bëhet që t’i kthejmë vlerat europiane për shqiptaret, që të hapim rrugën e integrimit drejt Europës. Sepse në Europë nuk shkohet me gënjeshtra”, komentoi gjithashtu ai.