Basha: Mosbindje civile, nga veriu në jug të vendit!

Basha: Mosbindje civile,  nga veriu në jug të vendit!

Kryedemokrati bashkë me mesazhin e vazhdimësisë së protestave, lëshoi dje edhe mesazhin për mosbindje civile dhe mosnjohje të policisë

Pas protestës së djeshme të opozitës, e cila u zhvillua para mjediseve të Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i drejtoi mesazhet e tij të radhës turmës së protestuesve.

Këtë herë, ai i njoftoi ata se përveç vazhdimësisë së protestave, do të aplikohet edhe mosbindja civile. Sipas tij, opozita nuk i bindet më as policisë, duke theksuar se “tashmë nuk njohim jo vetëm Kuvendin, por edhe policinë e krimit”. Basha vijoi të flasë më tej për mosbindje civile, kur u shpreh se “ajo do të shtrihet nga jugu në veri të vendit. “Jeni ngritur për të mos u ulur më deri në fitoren totale të lirisë së demokracisë. Falënderoj nga zemra qindra dhe mijëra shqiptarë që u mblodhën brenda pak orëve”, tha ai.

Gjithashtu, Basha u lëshoi protestuesve edhe mesazhin tjetër se rruga që ka nisur opozita është pa kthim dhe se nuk ka vend aspak për frikësim.

“Ne nuk frikësohemi, sepse ne luftojmë për një kauzë të drejtë, për një mision të drejtë, për të ardhmen e shqiptarëve. Ne luftojmë për lirinë e demokracinë, ne luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme. Beteja që ka nisur është pa kthim dhe historia e gjatë e shkurtër e këtij vendi na rrëfen se si do të përfundojë kjo betejë: Me shporrjen e krimit dhe triumfin e demokracisë e gjithë vlerave”, vijoi më tej Basha.

Në fund, lideri opozitar u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dorëzohen, pasi fitorja është e tyre dhe jo e qeverisë. “Gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë. Të marrim në dorë fatin tonë. Beteja që kemi nisur është pa kthim!”, apeloi mes të tjerash ai. Duke përfunduar me mesazhin se “ata na heqin korrentin, ne do t’u heqim prizën”, pas ndërprerjes së energjisë elektrike, e cila i ndërpreu edhe fjalën.