Basha insiston: Për Ramën ka nisur numërimi mbrapsht!

Basha insiston: Për Ramën  ka nisur numërimi mbrapsht!

Kreu i Partisë Demokratike reagoi dje pas arrestimeve të disa prej protestuesve të 16 marsit nga policia

“Numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe bandën në pushtet ka nisur!”. Me një deklaratë të tillë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar dje ndaj arrestimeve të ndërmarra prej Policisë së Shtetit ndaj disa protestuesve të 16 Marsit. Por sipas tij, “asnjë procedim penal nuk e ndal Partinë Demokratike dhe qytetarët për të përmbushur misionin tonë për Shqipërinë si gjithë Europa”. “Përdorimi i militantëve dhe ushtarëve të krimit në Polici për të goditur qytetarët dhe kundërshtarin politik është tipari më i qartë i këtij regjimi kriminal. Edi Rama ka ardhur në pushtet me ndihmën e bandave dhe ka zgjedhur të jetë me bandat kundër popullit”, shtoi ai. Duke vijuar më tej se “të gjithë bandat, ajo në qeveri dhe ato në rrugë do të dalin para drejtësisë”. Por ndër të tjera, kryedemokrati ka lançuar edhe mesazhin e vazhdimësisë së protestave të opozitës edhe në vazhdim.
“Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur të mbrojmë me çdo mjet të drejtën për të protestuar. Të drejtë që e fituam pas 46 vitesh të diktaturës më të përgjakshme në Europë!”, komentoi ai lidhur me një fakt të tillë.

Kujtojmë se para dy ditësh, opozita e bashkuar kreu atë që ajo e ka cilësuar si protestën më të madhe të zhvilluar ndonjëherë. Një aksion politik i radhës ky, që u shoqërua edhe me përplasje të radhës mes protestuesve dhe forcave të policisë. Si edhe përdorim prej kësaj të fundit të gazit lotsjellës apo edhe boteve me ujë, për të shpërndarë turmën që gjendej para institucionit të parlamentit. Në fund të saj, kryedemokrati Basha do të deklaronte se “e gjithë bota e pa vendosmërinë e një populli të bashkuar për liri dhe demokraci, për vlera europiane dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së Edi Ramës”. “Shqiptarët e bashkuar kanë për të fituar!”, apeloi ai, duke dhënë kështu publikisht mesazhin e vazhdimësisë së aksionit opozitar, deri në rrëzimin e qeverisë “Rama”.

Deputeti rumun

Caprar: Djegia e mandateve të deputetëve shqetësuese, opozita t’i kthehet dialogut

Anëtari i Parlamentit të Rumanisë, Dorel Caprar shprehu dje shqetësimin e tij për situatën politike në Shqipëri. Duke veçuar këtu bojkotin e opozitës në një moment mjaft të rëndësishëm, sipas tij, sikurse është integrimi në Bashkimin Europian. “Si një mik i vërtetë i Shqipërisë, jam i shqetësuar për zhvillimin e situatës politike këtu. Si anëtar i Parlamentit rumun, ndihem i shqetësuar për vendimin e Partisë Demokratike për të bojkotuar Parlamentin, në një moment shumë të rëndësishëm për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha ai. Duke shtuar se Presidenca rumune e Këshillit të BE-së ka në axhendën e vet mbështetjen për Shqipërinë si një anëtar i ri, i mundshëm i BE-së. “Shpresoj shumë se opozita do t’i kthehet arsyetimit dhe dialogut dhe së bashku me qeverinë do të gjejë zgjidhjen më të mundshme për vendin”, shtoi më tej ai.

PENALIZIMET

 Policia “me dorë të hekurt”, arreston 14 protestues opozitarë

Plot 33 mbështetës të opozitës rezultojnë si të proceduar prej policisë për pjesëmarrje dhe përfshirje në incidentet e shkaktuara në protestën e 16 marsit para mjediseve të Parlamentit. Ndërsa 14 prej tyre janë arrestuar, nën akuzën e veprimeve të dhunshme mbi institucionet kushtetuese dhe mbi policinë. Por edhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës, më 16 mars. Sipas policisë, veprimet janë kryer mbi bazën e pamjeve filmike, raport shërbimeve, si edhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Duke shtuar edhe se 7 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe rreth 130 kapsolla, të ndaluara si të rrezikshme për jetën.