Asnjë shenjë për dialog, lëvizin ndërkombëtarët

Asnjë shenjë për dialog,  lëvizin ndërkombëtarët

Ndërsa palët e politikës shqiptare nuk po japin asnjë shenjë për dialog mbi zgjidhjen e situatës së rënduar politike, ndërkombëtarët po vihen edhe më shumë në lëvizje. Këtë herë, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që duket se po shfaqin interes të hapur rreth saj, pas atij të treguar së fundmi nga autoritetet e Bashkimit Evropian. Ata dërguan edhe një delegacion me gjashtë eurodeputetë në Tiranë, të cilët dolën me një deklaratë të posaçme mbi zhvillimet në Shqipëri. Ndërsa dje, në “terren” ka dalë vetë përfaqësuesja zyrtare e SHBA-ve në Tiranë, e cila mësohet se ka zhvilluar takime të ndara, me dy krerët e opozitës shqiptare.

Kështu, ambasadorja amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka takuar fillimisht kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Një ballafaqim ky që mbërriti mes tyre, pikërisht një ditë pas protestës së zhvilluar para mjediseve të Parlamentit. Por edhe në kuadrin e paralajmërimit të opozitës se protestat nuk do të ndalen dhe se ajo nuk do ta njohë Parlamentin e vendit, pas djegies së mandateve të deputetëve të saj.

Më tej, mësohet se diplomatja e lartë amerikane i është drejtuar selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku ka takuar kryetaren e kësaj force politike, Monika Kryemadhi. Takime këto që thuhet se kanë zgjatur mbi një orë dhe që patjetër kanë patur në kuadrin e tyre situatën e fundit politike në vendin tonë. Zhvillimet e saj tashmë prej ditësh kanë shënuar një vëmendje të veçantë edhe nga qarqet, por edhe nga mediat e huaja, kryesisht ato evropiane. Ndërsa prej eksponentëve të rëndësishëm të institucioneve të Bashkimit Evropian kanë mbërritur herë pas here qëndrime dhe deklarata nga më të ndryshmet mbi situatën në Shqipëri.