Apostolova: Kosova ti zbatoj reformat ekonomike

Apostolova: Kosova ti zbatoj reformat ekonomike
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të tregojnë vullnet të fortë politik në zbatimin e reformave ekonomike si një mundësi për t’u afruar drejt integrimeve evropiane.
Ajo i bëri këto komente gjatë fillimit të programit të reformave ekonomike 2020-2022 nga ministria e Financave e qeverisë së Kosovës, refroma këto që kanë për qëllim përafrimin e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian.
Apostolova tha se zbatimi i programit të reformave ekonomike do të mundësojë përmirësimin e tregut të Kosovës për bizneset, të cilat sipas saj në shumë fusha të ekonomisë përballen me konkurencë jo të drejtë.
“Ekonomia joformale përfaqëson rreth një të tretën e Bruto Prodhimit Vendor, kjo çon në konkurencë të pa drejtë dhe zvogëlon sigurinë dhe vendet e punës. Strategjia që është zhvilluar përfshinë në mënyrë specifike masat e domosdoshme që do të ndihmojë në zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe i hap rrugë një mjedisi për biznes të drejtë”,tha ajo duke nënvizuar se zbatimi i reformave hap rrugë zhvillimit më të lartë ekonomik të Kosovës.
“Zbatimi i masave që janë të përfshira në Programin e reformave ekonomike nuk kërkojnë vetëm afate dhe përpjekje të nivelit teknik por gjithashtu edhe vullnet të fortë politik. Nga ju pritet që të zbatoni reformat e domosdoshme që stimulojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për të krijuar vende pune më të mira për qytetarët”, tha ajo.
Diplomatja evropiane thotë se niveli i ultë i aktiviteteve, papunësia dhe margjinalizimi i grave në sektorin e punës janë disa nga sfidat më të mëdha në Kosovë.
Ministri i Financave, Bedri Hamza njëherësh bashkërendues kombëtar për Programin për Reforma në Ekonomi, tha se Kosova duhet të vendosë si përparësi adresimin e barrierave ekonomike që dalin nga të gjeturat e Komisioni Evropian. Ai numëron disa nga këto sfida me të cilat përballet ekonomia e Kosovës.
“Aktivizimi ekonomik dhe punësimi sidomos të femrat dhe të rinjtë si dhe ndërlidhja në mes të arsimit dhe tregut të punës, formalizimi i ekonomisë dhe shfrytëzimi i potencialit të burimeve të ripërtrishme, kursimeve të energjisë dhe hapja e plotë e tregut të energjisë”,tha zoti Hamza.
Zoti Hamza tha se qeveria është duke bërë përpjekje që të shtyjë reformat ekonomike që do të mundësonin përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja./Ibna/