Kandidatët për president në kërkim të votave shqiptare

Kandidatët për president në kërkim të votave shqiptare

Votat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut shihen si vendimtare në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohet më 5 maj.  Kandidati i Lidhjes Social Demokrate (SDSM), Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska –Davkova po zhvillojnë një fushatë kryesisht mediale për të tërhequr votat e komunitetit të dytë në këtë vend, kryesisht votat e kandidatit të tretë presidencial Blerim Reka, që mori rreth 80 mijë vota, me mbështetjen edhe të opozitës shqiptare.

Në raundin e parë të zgjedhjeve një numër i vogël i votuesve shqiptarë dolën për të votuar. Në vendbanimet e shqiptarëve dolën nga 17 deri në 25% e votuesve, që u konsiderua një bojkot i heshtur.

Por, megjithatë dy kandidatët bëjnë thirrje që votuesit shqiptarë të dalin në raundin e dytë.

“Koncepti ynë është për një shoqëri të përbashkët të barabartë për të gjithë maqedonasit, shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Oferta jonë është për zhvillim dhe integrim në strukturat euroatlantike, ndërsa ajo e oponentëve politik është për izolim dhe bllokim”, theksoi Pendarovski.

“Unë votuesve shqiptarë iu ofroj atë që u ofroj edhe votuesve maqedonas, turq, romë, serb, vlleh e boshnjakë. Në rrethin e dytë ata do ta japin votën e tyre për atë që i trajton si qytetarë e jo si numër njerëzish për tregti për interesa partiak”, theksoi Siljanovska – Davkova.

Nga shtabi i kandidatit presidencial Blerim Reka dhe nga partitë opozitare shqiptare thonë se nuk do të bëjnë tregti dhe pazare me votat e fituara dhe se qytetarët kanë të drejtën e tyre të vendosin.

“Për ne ky cikël zgjedhor ka përfunduar. Mbetet në votuesit që të vendosin vetë për të drejtën e tyre sovrane nëse do ta shfrytëzojnë apo jo në rrethin e dytë, pa ndikuar apo bërë thirrje për mbështetje ose bojkot të procesit”, theksoi nënkryetari i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi. Në zgjedhjet e së dielës, Pendarovski i koalicionit qeverisës fitoi me një diferencë prej 4 mijë votave ndaj kundërkandidates Siljanovska-Davkova, të cilët do të përballen në balotazhin që do të zhvillohet më 5 maj. /IBNA