
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka emëruar Adriana Hoxhiçin ministre të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Sot emërova Adriana Hoxhiç, ministre të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila shquhet për angazhimin e saj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Është i njohur gjerësisht kontributi i saj në krijimin e urave të komunikimit dhe mirëbesimit ndërmjet komuniteteve të Kosovës”, tha sot Haradinaj.
Adriana Hoxhic, para se të emërohet në postin e ministres ka qenë Drejtoreshë e Administratës në Komunën veriore të Mitrovicës.
Emërimi i saj në këtë pozitë vjen pasi kreu i qeverisë e shkarkoi ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijevic, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”.
Ndërsa dy javë më parë u shkarkua edhe zëvendësministrja e drejtësisë, Vesna Mikiç,
Të dy ish zyrtarët e qeverisë së Kosovës mohuan krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 ndërsa akuzuan shqiptarët si terroristë dhe shpikje të masakrave për të nxitur bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe.
Beogradi i cilësoi shkarkimet si shkelje të lirisë së fjalës dhe trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb dhe ritheksoi mohimin e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha të enjten se deklarimet e tilla duhet të dënohen me ligj, ashtu siç ndodhë edhe në vendet perëndimore./Ibna/