A mund të ketë krizë me emigrantët e huaj në Maqedoninë e Veriut?

A mund të ketë krizë me emigrantët e huaj në Maqedoninë e Veriut?

Kampet për refugjatët e Lindjes së Mesme në Maqedoninë e Veriut duken të boshatisura, por autoritetet dhe shoqatat humanitare alarmojnë për rritjen e fluksit të kalimeve ilegale.

Në qendrën për pranimin e të huajve në muajin prill kanë qëndruar 22 veta, derisa në muajin maj vetëm 19 veta, theksojnë nga Ministria e Brendshme. Numër i vogël i emigrantëve është edhe në kampet kufitare Bogorodica dhe Tabanovce.

Ndërkohë, është në rritje numri i kalimeve ilegale dhe se kjo po përbën shqetësim për autoritetet, që kanë rritur masat e sigurisë në zonat kufitare jugore dhe veriore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në prill dhe maj janë parandaluar rreth 4.500 emigrantë të huaj, gjatë tentimeve për kalim ilegal kryesisht të kufirit jugor me Greqinë.

“Kemi rritur sigurinë në kufirin me Greqinë dhe se detyra jonë është që të jemi të gatshëm për të siguruar kufirin. Në këtë pjesë po bashkëpunojmë me Fronteks dhe me shtetet e rajonit dhe të BE-së, duke ndjekur politikat për ballafaqim me krizën e emigrantëve”, theksoi ministri i brendshëm Oliver Spasovski.

Mersiha Smailovic nga organizata “Legis” thotë se lëvizjet ilegale të migrantëve po vazhdojnë dhe se është vështirë parandalimi i tyre. Sipas saj, pjesa e madhe e emigrantëve synojnë që të kalojnë tranzit përmes Maqedonisë së veriut, pasi që destinacioni i tyre janë vendet e BE-së.

Organizatat humanitare bashkë me “Legis” kërkojnë strategji të re për ballafaqim me këtë krizë, pasi që tani është shumë i ndryshëm profili dhe numri i emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme. Dy vite më parë Maqedonia e Veriut u përballë me fluks të madh të emigrantëve të këtyre vatrave të krizës./IBNA